Politike
I akuzuar për prodhim dhe shitje të nar’kotikëve, SPAK dërgon për gjykim vëllanë e deputetit të PS-së

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjykim edhe Armando Ndrecën, vëllain e deputetit socialist Eduard Ndreca, që akuzohet për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Sipas hetimeve, Armando Ndreca ka pasur rol organizativ në një grup të përfshirë në kultivimin dhe shpërndarjen e sasisë prej 243 kg kanabis, gjatë vitit 2020 në zonën e Lezhës.
Ai u arrestua në 2024, me dyshimin se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, pas zbulimit të një stani të kthyer në shtëpi bari në një fshat të Lezhë. Armando Ndreca u lirua nga gjykata pasi nuk kishte prova që vërtetonin implikimin e tij në kultivimin e drogës, ku u arrestuan 2 persona. Në fakt, në janar 2025, Ndreca u arrestua sërish në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Pjesë nga njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), ka përfunduar hetimet paraprake të procedimit penal nr.59/2, të vitit 2022, duke dorëzuar në Gjykatë e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar:
I. Kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të të pandehurve:…
Armando Ndreca, i akuzuar për:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal (nenet 283/3 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Grup i strukturuar kriminal” në formën e organizimit (neni 333/a/1 i Kodit Penal);
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).

