Bota
“Imazhe tronditëse”/ Zbarkimi masiv i emigrantëve në Ceuta, Meloni kërkon pezullimin e Shengenit
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të disa dispozitave të Marrëveshjes së Shengenit me Spanjën, pas rritjes së fluksit të emigrantëve të parregullt që kanë mbërritur në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku. Në një reagim në rrjetin social “X”, Meloni i cilësoi pamjet nga kufiri si tronditëse dhe tha se emigracioni i pakontrolluar përbën një kërcënim për sigurinë e kufijve të Bashkimit Evropian.
Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi, dhe paralajmëroi se qeveria italiane është gati të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e kufijve dhe sigurinë e qytetarëve, duke përfshirë edhe pezullimin e përkohshëm të zbatimit të Zonës Shengen me Spanjën. Meloni theksoi se lufta kundër emigracionit të paligjshëm, trafikimit të qenieve njerëzore dhe forcimi i riatdhesimeve do të mbeten prioritete të qeverisë së saj.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili mbështeti vendosjen e masave më të forta ndaj flukseve migratore. Ai kritikoi vendimin e qeverisë spanjolle për t’u dhënë shtetësi mbi 500 mijë emigrantëve të parregullt, duke argumentuar se një veprim i tillë nxit emigracionin e paligjshëm dhe aktivitetin e rrjeteve të trafikimit.
Ndërkohë, Spanja po përballet me valën më të madhe të emigracionit drejt Ceutës që nga viti 2021. Autoritetet kanë angazhuar forca shtesë të ushtrisë dhe policisë për të kontrolluar situatën, ndërsa Ministria e Brendshme spanjolle ka njoftuar dislokimin e 60 efektivëve të forcave të armatosura në enklavë.
Sipas autoriteteve lokale, më shumë se 1 500 persona kanë mbërritur në Ceuta gjatë ditëve të fundit, me rreth 200 hyrje në ditë. Të paktën 10 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt territorit spanjoll, ndërsa qendrat e pritjes janë tejmbushur, duke e kthyer situatën në një emergjencë humanitare.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se qeveria ka mobilizuar të gjitha burimet për menaxhimin e krizës. Ndërkohë, ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska do të vizitojë Ceutën për t’u koordinuar me autoritetet lokale. Spanja dhe Maroku kanë rënë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin për kthimin sa më të shpejtë të personave që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin spanjoll.