Kronike
Artan Hoxha në intervistë me Flamur Vezajn: Krimi ka krijuar ekuilibër, grupet ruajnë lidhje brenda policisë
Gazetari investigativ Artan Hoxha, në një intervistë me gazetarin Flamur Vezaj, ka analizuar situatën e krimit të organizuar në Shqipëri, ngjarjet e fundit kriminale dhe lidhjet që grupet e fuqishme dyshohet se vazhdojnë të kenë brenda strukturave ligjzbatuese.
Sipas Hoxhës, disa nga ngjarjet e rënda të ndodhura në Durrës, Sarandë, Lezhë dhe qytete të tjera mund të ishin parandaluar nga Policia e Shtetit.
Ai deklaroi se, në planin e gjerë, në vend është krijuar një strukturë e konsoliduar aleancash mes organizatave kriminale, e cila ka ruajtur një lloj ekuilibri dhe ka frenuar përplasjet e mëdha.
“Në plan të gjerë, vendi tashmë ka një strukturë shumë të fortë dhe të konsoliduar të një loje aleancash, e cila e ka ruajtur ekuilibrin. Kjo ka bërë që të mos ketë shumë krime të mëdha”, tha Hoxha.
Gazetari investigativ theksoi se pas vitit 2018 dhe veçanërisht nga viti 2022, në Shqipëri ndodhi një ndryshim i rëndësishëm i elitave të organizatave kriminale.
Sipas tij, ky riformatim u shoqërua me vrasje dhe përplasje në Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë, duke sjellë një ndryshim të dukshëm të hierarkisë së krimit të organizuar.
Megjithatë, Hoxha nënvizoi se ngjarja e fundit në Rinas tregoi se grupet që kontrollojnë territoret vazhdojnë të jenë të fuqishme.
“Ngjarja e Rinasit, përveçse ishte paralajmëruese, kishte edhe një mesazh shumë të fortë. Dëshmoi se ata që kontrollojnë territorin janë ende shumë të fortë dhe shumë shpejt mund të ngrihen”, deklaroi ai.
Artan Hoxha ngriti gjithashtu shqetësimin për bashkëpunimin dhe rrjedhjen e informacioneve nga strukturat ligjzbatuese drejt grupeve kriminale.
Ai kujtoi se në dosjet e hetuara nga prokuroria janë shfaqur emra shefash komisariatesh, drejtorësh vendorë të policisë dhe efektivësh të niveleve të ndryshme.
“Nga të gjitha dosjet e prokurorisë kemi parë shefa komisariatesh, drejtorë qarqesh dhe policë të thjeshtë. Në njëfarë mënyre, rrjeti i tyre vazhdon. Nuk është ndërprerë”, u shpreh Hoxha në intervistën me Flamur Vezajn.