Politike
Tre lotë të rinj në dosje? Çfarë pritet t’i komunikohet Ballukut
Prokuroria e Posaçme pritet t’i komunikojë këtë të premte ish-zv.kryeministres Belinda Balluku zgjatjen e hetimeve dhe akuzat e reja që lidhen me lotët 5, 6 dhe 7.
Deri më tani, Balluku ishte marrë e pandehur për çështjen e Tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe, ndërsa vendimi i GJKKO për zgjatjen e hetimeve me tre muaj i ka hapur rrugë vijimit të procedurave hetimore.
Sipas burimeve, ish-zv.kryeministrja mund të mos paraqitet personalisht në SPAK, ndërsa në vend të saj pritet të jetë avokati mbrojtës Ardian Kalia.
Ndërkohë, akuzat për këto çështje u janë komunikuar më herët edhe ish-drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, si dhe Miranda Shkurtes.
Hetimet e SPAK vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë e personave të përfshirë në procedurat e tenderimit dhe zbatimit të disa projekteve infrastrukturore, ndërsa pritet që komunikimi i ri i akuzave ndaj Ballukut të sjellë zhvillime të tjera në këtë dosje.