Politike
Mazniku sqaron propozimin e PS për ‘Territorialen’: Asnjë shërbim nuk largohet
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, ka shpjeguar arsyet e propozimit të Partisë Socialiste për uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke theksuar se synimi është rritja e eficiencës së qeverisjes vendore dhe jo ndikimi politik.
Në një takim me gazetarët, Mazniku akuzoi opozitën se ka vonuar punën e komisionit, duke theksuar se afati 9-mujor ishte i njohur që në fillim.
“Katër muajt e parë opozita nuk erdhi, një muaj u mor me kalendarin e diskutimeve. Një pjesë e detyrave që komisioni duhej të realizonte nuk u bënë, sepse opozita mori në mënyrë sistematike shumë kohë,” deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të banorëve të Poliçanit, të cilët protestuan kundër bashkimit me Bashkinë Berat, Mazniku siguroi se asnjë shërbim nuk do të largohet nga territori.
“Bashkimi i Poliçanit me Beratin do t’i sjellë më shumë zhvillim Poliçanit. Do të ruhen zyra, identiteti dhe të gjithë elementët ekzistues, ndërsa qyteti do të përfitojë nga bashkimi,” u shpreh ai.
Mazniku foli edhe për rastin e Rinasit, duke sqaruar se është i vetmi propozim për ndryshim territori, për shkak se Tirana përballon kostot e infrastrukturës dhe mirëmbajtjes që lidhen me funksionimin e aeroportit.
Ai hodhi poshtë pretendimet se reforma ka motive elektorale, duke deklaruar se ndryshimet e propozuara nuk ndikojnë në rezultatin politik në nivel kombëtar.
“Elementi politik nuk është futur fare në këtë diskutim. Synimi është vetëm rritja e eficiencës së funksionimit të bashkive,” përfundoi Mazniku.