Kosova
Nis gjyqi për Masakrën e Reçakut, i mbijetuari: Arrita të ik, të tjerët i vranë
Ka nisur në Kosovë gjykimi në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte në Masakrën e Reçakut, ku më 15 janar 1999 u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe.
Një prej të mbijetuarve të masakrës, Ramë Shabani, 60 vjeç nga Reçaku, tha se e mësoi nga mediat nisjen e procesit gjyqësor dhe se nuk ishte njoftuar nga institucionet për të dëshmuar. Ai shprehet skeptik se gjykimi në mungesë do të sjellë drejtësi, pasi të akuzuarit nuk ndodhen në Kosovë.
Shabani kujton se mëngjesin e 15 janarit 1999 forcat serbe rrethuan fshatin, granatuan banesat dhe i nxorën civilët jashtë. Sipas tij, burrat u dërguan në Kodrën e Bebushit, ku nisën ekzekutimet.
“Na shanë serbisht… unë arrita të ik në një teposhtë, ndërsa shtatë ose tetë persona që ishin pas meje u vranë”, rrëfen ai.
Pas largimit të forcave serbe, ai u kthye në vendngjarje dhe mësoi se vëllai i tij, Bajrush Shabani, 11 kushërinj dhe mbi 30 bashkëfshatarë të tjerë kishin humbur jetën.
Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 ish-pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe për veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”. Sipas aktakuzës, ata morën pjesë në rrethimin e Reçakut, granatimin e fshatit, ndarjen e burrave nga gratë e fëmijët dhe ekzekutimin e civilëve.
Masakra e Reçakut konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë dhe pati ndikim të madh në reagimin ndërkombëtar, duke paraprirë ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të atëhershëm të Slobodan Millosheviçit.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës vijojnë hetimet edhe në çështjen e njohur si “Reçaku II”, ku gjatë muajit qershor u arrestuan pesë persona të dyshuar për përfshirje në krimet e kryera në këtë masakër.