Aktualitet
Zjarri në Shkozet/ Zjarrfikësit ende në terren, zjarrfikësi i asfiksuar jashtë rrezikut për jetën
Shefi i Zjarrfikëses së Durrësit, Shkëlqim Troplini, ka dhënë detaje lidhur me operacionin për shuarjen e zjarrit masiv që përfshiu një magazinë në zonën e Shkozetit.
Troplini bëri të ditur se në vendngjarje vijojnë të qëndrojnë efektivë të zjarrfikëses, pasi ende ka disa vatra të vogla zjarri që po mbahen nën monitorim për të shmangur riaktivizimin e flakëve.
Sa i përket zjarrfikësve që u dërguan në spital pas ndërhyrjes, ai tha se pjesa më e madhe e tyre janë jashtë rrezikut, ndërsa vetëm një efektiv vijon të marrë trajtim nën kujdesin e mjekëve.
Lidhur me shkaqet e zjarrit, shefi i Zjarrfikëses së Durrësit deklaroi se ende pritet përfundimi i ekspertizës, ndërsa dyshimet paraprake janë se flakët mund të jenë shkaktuar nga pakujdesia.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe shkakun që çoi në përfshirjen nga zjarri të magazinës në Shkozet.