Connect with us

Kosova

Në kërkim nga Interpol për vrasje/ Arrestohet në Kosovë shqiptari me 5 identitete

Një shtetas shqiptar është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe legalizim të përmbajtjes së rreme. Autoritetet bënë të ditur se i arrestuari rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes një njoftimi të kuq të Interpolit.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet e disa shteteve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Austrinë, Belgjikën, Shqipërinë dhe Hungarinë, është zbuluar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, kryesisht të lidhura me Shqipërinë, Greqinë dhe Kosovën.

Verifikimet e autoriteteve shqiptare kanë konfirmuar identitetin e tij dhe kanë bërë me dije se personi është i dënuar me 17 vite burg për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.

Sipas Prokurorisë së Kosovës, rasti nisi më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. u paraqit pranë Agjencisë së Regjistrimit Civil për të rinovuar dokumentet e identifikimit të marra vite më parë.

Gjatë kontrollit të procedurave, zyrtarët konstatuan se identiteti i përdorur i përkiste një personi që kishte ndërruar jetë shumë vite më parë. Ky zbulim ngriti dyshime për keqpërdorim të identitetit dhe çoi në hetime të mëtejshme.

Autoritetet vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rastit dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore ndaj të arrestuarit.

Advertisement