Politike
Braçe shpërthen për çmimin e naftës: E rritën qëllimisht në kulmin e turizmit
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar për rritjen e fundit të çmimit të naftës në vend, duke akuzuar kompanitë tregtare se kanë zgjedhur pikërisht fundjavën dhe kulmin e sezonit turistik për të rritur çmimet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe deklaroi se nafta po shitet aktualisht me rreth 214-216 lekë për litër, ndërsa karburanti me cilësi më të lartë arrin deri në 230 lekë për litër.
Sipas deputetit socialist, kjo rritje nuk është rastësore, pasi përkon me periudhën kur lëvizjet drejt zonave turistike janë në nivelet më të larta, me kthimet e pushuesve të korrikut dhe nisjet e turistëve të gushtit.
Braçe e cilësoi situatën si një veprim të qëllimshëm nga tregtarët e karburanteve dhe kërkoi rikthimin e Bordit të Transparencës për monitorimin e çmimeve të naftës.
“E dija që ata që nuk fituan gjatë kohës së Bordit, do të përpiqeshin të fitonin tani, në kulmin e sezonit”, deklaroi Braçe, duke argumentuar se rritja e çmimeve mund të ndikojë në lëvizshmërinë e qytetarëve dhe turizmin.
Reagimi i deputetit socialist rikthen debatin për mënyrën e përcaktimit të çmimeve të karburanteve në Shqipëri dhe rolin e shtetit në kontrollin e tregut.