Connect with us

Politike

Balluku në SPAK/ Bardhi: Duhet të ishte me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zhvillimeve të reja në çështjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për akuza të tjera që lidhen me ushtrimin e funksionit publik.

Në një deklaratë publike, Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po i ofron mbështetje politike Ballukut, ndërsa ka kritikuar Prokurorinë e Posaçme për atë që ai e cilëson si mungesë reagimi të mjaftueshëm ndaj situatës.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, shtimi i akuzave ndaj Ballukut konfirmon qëndrimin e opozitës për nevojën e heqjes së imunitetit parlamentar të saj dhe marrjen e masave më të forta procedurale.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Duhet të ishte me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë, falë mbrojtjes politike të Edi Ramës dhe mosveprimit, sipas nesh të pajustifikueshëm, të SPAK-ut.

Belinda Balluku është marrë sot e pandehur për akuza të tjera që lidhen me abuzimet në ushtrimin e detyrës.

Shtimi i akuzave zyrtare nga SPAK ndaj krahut të djathtë të Edi Ramës rikonfirmon edhe një herë se qëndrimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të saj parlamentar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm. Një person që përballet me disa akuza për abuzim me miliona euro të Buxhetit të Shtetit dhe që po hetohet gjithashtu për korrupsion dhe pastrim parash nuk duhet të lejohet, të qëndrojë në liri sepse ekziston rreziku që të ndikojë mbi provat, të cenojë hetimet ose të intimidojë dëshmitarët.

Ruajtja e standardeve të njëjta nga SPAK-u është një domosdoshmëri për të mos cenuar besimin e qytetarëve te drejtësia. Një drejtësi që nuk respekton parimin kushtetues të “barazisë së qytetarëve përpara ligjit” rrezikon të shndërrohet në një instrument selektiv, në vend që të garantojë drejtësi të barabartë për të gjithë.

Një drejtësi që perceptohet se ndikohet nga vendimmarrja politike e mazhorancës nuk mund të konsiderohet as plotësisht e pavarur dhe as plotësisht e paanshme. Prandaj, SPAK-u duhet të zbatojë të njëjtat standarde për çdo zyrtar, pa përjashtim dhe pa privilegje politike.

Advertisement