Sport
Fifa kundërpërgjigjet pas kritikave: Futbolli nuk është në shitje
FIFA ka reaguar zyrtarisht pas kritikave të forta të ardhura nga UEFA, CONCACAF dhe konfederata të tjera, duke mohuar kategorikisht pretendimet se projekti i ri FIFA Forward Enterprise (FFE) synon privatizimin apo shitjen e futbollit.
Në një deklaratë të publikuar në kanalet zyrtare, organizata thekson se respekton shqetësimet e ngritura nga konfederatat dhe se çdo vendim do të merret vetëm përmes një procesi konsultimi të hapur dhe demokratik me të gjitha federatat anëtare.
FIFA kritikoi gjithashtu raportimet që, sipas saj, kanë keqinterpretuar përmbajtjen e projektit dhe kanë krijuar perceptimin se organizata synon të shesë kompeticionet e saj.
“Askush nuk po e nxjerr futbollin në shitje dhe FIFA nuk do ta merrte kurrë në konsideratë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Sipas FIFA-s, projekti FFE synon të krijojë një strukturë të re, plotësisht në pronësi të organizatës, e cila do të administrojë aktivitetet tregtare, të drejtat televizive dhe sponsorizimet e eventeve ndërkombëtare, me qëllim rritjen e të ardhurave dhe shpërndarjen më të madhe të fondeve për zhvillimin e futbollit.
Plani parashikon që të gjitha 211 federatat kombëtare të përfitojnë nga programi FIFA Forward, ku secila do të marrë 20 milionë dollarë gjatë periudhës 2027–2030, pavarësisht madhësisë apo nivelit të saj sportiv.
Organizata theksoi gjithashtu se asnjë konfederatë nuk mund të flasë në emër të të gjitha federatave kombëtare dhe se çdo anëtar duhet të ketë të drejtën të shqyrtojë propozimin dhe të japë qëndrimin e tij.
FIFA sqaroi se projekti nuk do të hyjë në fuqi pa miratimin e shumicës së federatave anëtare. Nëse kjo mbështetje nuk sigurohet, aktivitetet tregtare të organizatës do të vijojnë të funksionojnë sipas modelit aktual.