Politike
Shkrirja e bashkive/ PD letër ndërkombëtarëve
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u është drejtuar me një letër selive diplomatike në Shqipëri dhe institucioneve ndërkombëtare lidhur me procesin e Reformës Territoriale, duke shprehur shqetësime për mënyrën se si, sipas tij, po zhvillohet procesi.
Në letrën e datës 27 korrik 2026, Bardhi argumenton se qasja e shumicës socialiste nuk respekton parimin e konsensusit politik dhe bie në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, ekziston rreziku që ndryshimi i kufijve administrativë të përdoret për një rikonfigurim territorial me ndikim elektoral, duke ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe në ato parlamentare.
Në letër theksohet se ndryshimi i kufijve të bashkive dhe qarqeve pa një marrëveshje politike, pa konsensus dhe pa një proces gjithëpërfshirës e transparent mund të krijojë avantazhe për shumicën në pushtet dhe të cenojë besueshmërinë e reformës.
Bardhi u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të apelojnë publikisht ndaj autoriteteve shqiptare për rishqyrtimin e procesit, zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm deri në tetor 2026 dhe garantimin që reforma të përfundojë përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe të bazuar në konsensus.
Në të njëjtën kohë, kreu i Grupit Parlamentar të PD kërkon që çdo produkt përfundimtar i Komisionit të certifikohet nga Komisioni i Venecias ose nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës, përpara se të miratohet në seancë plenare, me synimin për të garantuar përputhshmërinë me standardet evropiane.