Pamje të reja nga terreni tregojnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm që goditi mbrëmjen e së premtes zonën e gjerë të Napolit në Itali, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme materiale në disa ndërtesa.
Lëkundja me magnitudë 4.7 ballë e shkallës Rihter u regjistrua në orën 19:46 sipas kohës lokale, ndërsa deri tani raportohet se 21 persona kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë.
Zona më e prekur është Pozzuoli, pranë fushës vullkanike Campi Flegrei, ku janë evidentuar dëmet kryesore në ndërtesa. Autoritetet italiane bëjnë me dije se pas goditjes kryesore janë regjistruar mbi 30 pasgoditje, me më të fortën që u ndje në orët e para të mëngjesit me magnitudë 3.1.
Pamjet nga zonat e prekura tregojnë çarje në mure, dëmtime të fasadave dhe pjesë ndërtesash të rrëzuara, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kontrollet për të garantuar sigurinë e banorëve.
Frika nga lëkundje të tjera ka bërë që shumë qytetarë të mos rikthehen në banesat e tyre dhe ta kalojnë natën në automjete ose në ambiente të hapura. Në Pozzuoli, zjarrfikësit kanë evakuuar një pallat banimi pasi u konstatuan dëmtime strukturore, ndërsa rreth 70 banorë janë strehuar përkohësisht në një palestër të vënë në dispozicion nga bashkia.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa grupet teknike po inspektojnë ndërtesat dhe infrastrukturën për të përcaktuar shkallën e dëmeve dhe masat e nevojshme për sigurinë e zonës.
View this post on Instagram
