Politike
Begaj viziton Plavën e Gucinë: Të ruajmë trashëgiminë dhe të ndërtojmë të ardhmen
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në manifestimin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”, ku përcolli një mesazh për ruajtjen e identitetit kombëtar, forcimin e lidhjeve me diasporën dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit e cilësoi këtë aktivitet si një urë që bashkon shqiptarët me vendlindjen, duke theksuar se Alpet Shqiptare përfaqësojnë historinë, traditat dhe karakterin e popullit shqiptar.
Begaj vlerësoi kontributin e shqiptarëve të Plavës dhe Gucisë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, ndërsa nënvizoi se kjo trevë ka nxjerrë figura të rëndësishme të historisë shqiptare, si Ali Pashë Gucia dhe Jakup Ferri.
Presidenti u shpreh se lidhja me vendlindjen nuk matet me distancën, por me ruajtjen e gjuhës, kujtimeve dhe traditave, duke theksuar se kthimi në këto troje është një rikthim te rrënjët dhe vlerat kombëtare.
Në mesazhin e tij, Begaj vuri theksin edhe te rëndësia e paqes, integrimit europian dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si elementë kyç për të ardhmen e shqiptarëve në rajon.
Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të ruajnë trashëgiminë kulturore, të forcojnë unitetin dhe të punojnë për një të ardhme me më shumë mundësi për brezat e rinj.
Në përfundim të aktivitetit, Presidenti Bajram Begaj u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, në vlerësim të kontributit të tij për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që jetojnë. Vizita e tij në Plavë dhe Guci u shoqërua edhe me takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe autoritetet lokale.