Kronike
Autopsia zbardh vrasjen e Kevin Muharremit, plumbi në qafë i mori jetën 25-vjeçarit
Janë publikuar rezultatet e autopsisë për 25-vjeçarin shqiptar Kevin Muharremi, i cili u vra mbrëmjen e 14 shkurtit në Montecalvoli, në komunën Santa Maria a Monte, në Itali.
Sipas raportit të mjekut ligjor Marco Di Paolo, vetëm një nga plumbat e qëlluar me një pistoletë gjysmëautomatike Beretta kalibër 6.35 rezultoi fatal. Plumbi goditi Muharremin në anën e djathtë të qafës, duke shkaktuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore, në nivelin e vertebrave C2 dhe C3.
Ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se dëmtimet ndërprenë rrugët nervore, duke shkaktuar paralizë të frymëmarrjes dhe hemorragji të brendshme, çka solli vdekjen e menjëhershme të 25-vjeçarit. Raporti i autopsisë u depozitua pranë Prokurorisë së Pizës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Për këtë vrasje akuzohet 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, i cili ndodhet në paraburgim që prej ditës së krimit. Ai u arrestua në Arezzo teksa po largohej me familjen në një automjet tip Range Rover Evoque, i njëjti mjet nga i cili hetuesit dyshojnë se u qëllua drejt viktimës.
Sipas hetimeve, i dyshuari nuk e ka mohuar se ka qëlluar në drejtim të Kevin Muharremit, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit të një automjeti Fiat Doblò, ku u gjet më pas pa shenja jete.
Hetuesit italianë dyshojnë se vrasja ishte kulmi i një konflikti mes dy grupeve shqiptarësh, i cili kishte nisur disa orë më herët në një lokal në zonën Capanne di Montopoli dhe më pas ishte përshkallëzuar në parkingun e tij. Sipas hetimeve, pas një komunikimi telefonik, palët u takuan sërish në Viale della Repubblica, ku ndodhi sulmi me armë.
Ekspertiza ka konstatuar se viktima ishte goditur edhe nga një plumb tjetër në parakrah dhe kyçin e dorës së djathtë, por kjo plagë nuk ndikoi në vdekjen e tij. Në vendngjarje janë gjetur prova që tregojnë se janë qëlluar të paktën gjashtë plumba drejt automjetit ku ndodhej 25-vjeçari.
Ndërkohë, hetimet vijojnë edhe ndaj një 18-vjeçari shqiptar, i cili ndodhej në të njëjtin automjet me të dyshuarin kryesor. Ai po hetohet në gjendje të lirë dhe është paraqitur vullnetarisht në Prokurorinë italiane për të dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen.