Politike
Balluku shtatzënë? Berisha: Po përdorin mëmësinë për t’i shpëtuar drejtësisë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur ironinë dhe akuzat politike pas paraqitjes së tij në SPAK, duke sulmuar qeverinë dhe disa zyrtare socialiste. Ai pretendoi se pranë Prokurorisë së Posaçme “po ndërtohet një mini-maternitet”, duke bërë një krahasim ironik me raste ku, sipas tij, disa zyrtare po përdorin mëmësinë për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë.
Berisha përmendi edhe emra simbolikë si “Spakica” dhe “Spakic”, duke thënë se sipas tij është përgatitur edhe një listë me emra për “bebet e SPAK-ut”. Ai e lidhi këtë deklaratë me pretendimet e tij ndaj disa ministreve, ish-ministreve dhe deputeteve socialiste.
I pyetur nga gazetarët nëse kishte një rast konkret në mendje, Berisha përmendi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, të cilën e sulmoi edhe më herët politikisht, ndërsa deklaroi se bëhet fjalë për “disa ministre, ish-ministre dhe deputete”.
Deklaratat e kreut të demokratëve vijnë në një kohë kur SPAK vijon hetimet ndaj disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, ndërsa përplasjet politike mes opozitës dhe mazhorancës për rolin e drejtësisë vijojnë të jenë në qendër të debatit publik.