Connect with us

Kosova

50 mijë euro garanci nuk mjaftojnë, Haga refuzon lirimin e Hashim Thaçit

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Hagë, pasi Gjykata Speciale ka rrëzuar kërkesën e tij për lirim me kusht. Pavarësisht ofertës për një garanci financiare prej 50 mijë eurosh dhe pranimit të një sërë kushtesh shtesë për të garantuar mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, gjyqtari Christopher Gosnell vendosi t’i zgjasë paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë.

Në vendimin e tij, gjyqtari thekson se garancia financiare e ofruar nga familjarët dhe miqtë e Thaçit nuk është e mjaftueshme për të eliminuar plotësisht rrezikun e mundshëm të arratisjes, edhe pse pranoi se ajo e zbut pjesërisht këtë shqetësim.

Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2024. Katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat ata i kanë mohuar vazhdimisht.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023 dhe vijon ende. Në muajin shkurt të këtij viti, të pandehurit dolën për herë të tretë para trupit gjykues, ku deklaruan sërish pafajësinë dhe kërkuan rrëzimin e akuzave.

Advertisement