Kronike
DETAJE TE REJA NGA GRABITJA NE PASKUQAN
Zbardhen detaje të reja nga grabitja e argjendarisë “Luani” në Paskuqan, ndërsa policia vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, dy grabitësit e maskuar kanë ndjekur të njëjtin itinerar si gjatë afrimit drejt argjendarisë, ashtu edhe pas largimit nga vendi i ngjarjes. Analiza e pamjeve të kamerave të sigurisë ka treguar se ata kanë lëvizur kryesisht në rrugicat periferike të zonës së Kamzës, duke shmangur akset kryesore.
Kjo mënyrë veprimi ka ngritur dyshimet e hetuesve se autorët e njihnin mirë terrenin dhe kishin përgatitur me kujdes çdo detaj të grabitjes.
Një nga pistat që po verifikohet është mundësia që njëri prej autorëve të ketë hyrë më herët në argjendari, duke u paraqitur si klient, për të vëzhguar ambientin, mënyrën e funksionimit dhe vendosjen e sendeve me vlerë.
Gjatë grabitjes, autorët kanë marrë vetëm bizhuteri floriri, me një vlerë që sipas të dhënave paraprake kalon 1.5 milionë lekë.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që në organizimin e ngjarjes të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë, të cilët mund të kenë ndihmuar në përgatitjen ose largimin e autorëve.
Ndërkohë, policia ka sqaruar se kjo ngjarje nuk lidhet me grabitjen e një tjetër argjendarie në Kamëz, të ndodhur më 16 maj, pasi personat e dyshuar për atë rast janë arrestuar.