Aktualitet
MABCO HAP “DOSJEN” E AEROPORTIT TË VLORËS: “47% E KUOTAVE U TENTUA TË KALONTE PA AUTORIZIM” – NË QENDËR NJË FIRMË E BEHGJET PACOLLIT
Përplasja për kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës hyn në një tjetër fazë. Në faqen e Behgjet Pacollit është publikuar një deklaratë e Zyrës për Informim të MABCO Constructions S.A., e cila paralajmëron publikimin e një kronologjie të fakteve dhe veprimeve që, sipas kompanisë, çuan në konfliktin për administrimin e shoqërisë koncesionare.
Në pjesën e parë të kësaj kronologjie, MABCO ndalet te data 19 gusht 2025, kur pretendon se mësoi rastësisht për ekzistencën e një dokumenti të hartuar më 3 prill 2025 pranë noteres Valbona Selimi.
Sipas versionit të MABCO-s, dokumenti parashikonte transferimin e 47% të kuotave që kompania zotëronte në “Vlora International Airport” drejt Valon Ademit, i cili në strukturën e regjistruar zotëronte vetëm 2% të aksioneve. Nëse ky transferim do të realizohej dhe regjistrohej, pjesa e tij do të shkonte praktikisht në 49%.
Por pikërisht këtu MABCO ngre akuzën më të rëndë.
Kompania deklaron se nuk ka autorizuar asnjëherë një transaksion të tillë dhe pretendon se dokumentacioni është mbështetur në përdorimin e një firme të Behgjet Pacollit, të marrë nga një dokument i vitit 2023 që, sipas saj, ishte hartuar për një qëllim krejt tjetër.
MABCO pretendon gjithashtu se Pacolli nuk ka qenë i pranishëm në zyrën noteriale dhe nuk ka dhënë autorizim për tjetërsimin e kuotave.
Sipas deklaratës, Pacolli prej vitit 2011 nuk ka kompetencë ligjore për të nënshkruar dokumente që krijojnë detyrime për MABCO-n, pasi të drejtën e përfaqësimit e kanë personat e regjistruar si përfaqësues të kompanisë.
MABCO shkon edhe më tej, duke pretenduar se firma e Pacollit është përdorur edhe në një vendim të pretenduar të Bordit të Drejtorëve të kompanisë, megjithëse ai, sipas deklaratës, nuk ishte anëtar apo drejtues i këtij bordi dhe nuk kishte kompetencë për ta nënshkruar dokumentin.
Një tjetër element që ngre pikëpyetje është fakti se, sipas MABCO-s, dokumenti i 3 prillit 2025 nuk ishte bërë i njohur kompanisë dhe ajo pretendon se e zbuloi ekzistencën e tij vetëm më 19 gusht.
MABCO thotë se nuk ka dijeni nëse ndërkohë ka pasur tentativa për regjistrimin e transferimit të 47% të kuotave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por thekson se ky transferim nuk ishte regjistruar.
Kompania e konsideron këtë moment si pikënisjen e zinxhirit të ngjarjeve që më pas prodhoi konfliktin mes ortakëve dhe betejën për kontrollin dhe administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Pretendimet e MABCO-s për përdorimin pa autorizim të firmës dhe vlefshmërinë e dokumenteve janë objekt i konfliktit mes palëve dhe nuk mund të konsiderohen të provuara përfundimisht pa një vendimmarrje të drejtësisë.
Ndërkohë, MABCO paralajmëron se kronologjia do të vazhdojë, duke lënë të kuptohet se në publikimet e ardhshme do të paraqesë edhe veprimet e institucioneve shtetërore që, sipas kompanisë, çuan në humbjen e kontrollit të saj mbi menaxhimin e VIA-s.