Kosova
BOMBA VJEN NGA GJERMANIA/ Brey: Problemi i Serbisë nuk është Brukseli por Vuçiçi
Një tjetër kritikë e fortë ndaj politikës së Beogradit vjen nga analisti dhe gazetari gjerman Thomas Brey.
Ai akuzoi pushtetin serb se po përpiqet të fajësojë Brukselin për ngecjen e Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa problemet, sipas tij, lidhen kryesisht me zhvillimet e brendshme të vendit.
Brey i cilësoi pretendimet se Bashkimi Evropian po bllokon qëllimisht anëtarësimin e Serbisë si “teori konspirative të propagandës serbe”.
Sipas analistit gjerman, kjo narrativë shërben për të zhvendosur vëmendjen nga mungesa e reformave, dobësimi i standardeve demokratike dhe problemet me funksionimin e institucioneve.
Një pjesë e kritikave të Brey lidhet pikërisht me gjendjen e institucioneve të drejtësisë në Serbi.
Brey kritikoi edhe mënyrën se si pushteti në Beograd e trajton çështjen e zgjedhjeve.
Ai kundërshtoi deklaratën e kryetares së Kuvendit serb, Ana Brnabiq, se opozita po refuzon zbatimin e rekomandimeve evropiane për zgjedhje të lira dhe të drejta.
Sipas analistit gjerman, përgjegjësia nuk duhet t’i atribuohet opozitës, por pushtetit të drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç.
Brey argumentoi se prej më shumë se një dekade, pushteti i Vuçiçit ka penguar, sipas tij, zhvillimin e një sistemi zgjedhor plotësisht të lirë dhe demokratik.
Ai ironizoi gjithashtu daljet e shpeshta televizive të presidentit serb, duke theksuar se Vuçiç ka zhvilluar dhjetëra monologë të drejtpërdrejtë në televizione të ndryshme.
Sipas Thomas Brey, të gjitha këto janë pjesë e një modeli politik dhe mediatik, ku pushteti serb përpiqet të kontrollojë narrativën publike, të fajësojë faktorët e jashtëm për problemet e brendshme dhe të relativizojë kritikat ndaj demokracisë dhe procesit zgjedhor.
Në këtë këndvështrim, Brey argumenton se pengesat kryesore të Serbisë në rrugën drejt BE-së nuk ndodhen në Bruksel, por brenda vetë vendit.