Politike
Akuzat për korrupsion/ Petrit Vasili ironizon Ramën: Do të thajë oqeanin duke e thithur
Ish-deputeti Petrit Vasili ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar nismën “Besa” dhe “Pasqyra” si një “deklaratë të falimentimit politik” të qeverisë pas 14 vitesh në pushtet.
Vasili deklaroi se përpjekjet për të kufizuar denoncimet dhe zërat kritikë tregojnë, sipas tij, një pushtet që nuk ka më çfarë t’u ofrojë shqiptarëve.
“Me atë pipën që pinë kalamajtë lëngun e frutave, ky do që të thajë oqeanin”, u shpreh Vasili, duke argumentuar se mbyllja e një platforme apo adrese nuk mund të ndalë qytetarët, mediat dhe opozitën të denoncojnë qeverinë.
Sipas tij, problemi është më i thellë: pas kaq vitesh në pushtet, qeveria po u kërkon qytetarëve të drejtohen te strukturat politike për zgjidhjen e problemeve, në vend që të funksionojnë institucionet shtetërore.
“Shqiptarët nuk kanë votuar për të shkuar te zyrat e partive. Kanë votuar që të shkojnë te institucioni që paguajnë me taksat e tyre dhe të marrin zgjidhjen e problemit”, tha Vasili.
Ai e cilësoi këtë situatë si një pranim indirekt se institucionet shtetërore nuk funksionojnë, ndërsa mekanizmat politikë po përdoren si zëvendësim i tyre.
Vasili shkoi edhe më tej me akuzat, duke deklaruar se në Shqipëri ekziston një mekanizëm që, sipas tij, funksionon “në mënyrë perfekte”.
“Institucioni i grabitjes dhe i rrëmbimit të parave publike” është, sipas Vasilit, i vetmi institucion që funksionon pa probleme.
Ai akuzoi qeverinë për tendera, korrupsion, përdorim politik të parave publike dhe blerje të votave, duke e paraqitur këtë si një sistem që është kthyer në “institucion armik të qytetarëve”.
Në fund, Vasili u bëri thirrje qytetarëve dhe opozitës të mos ndalin protestat dhe denoncimet.
“Ky njeri, me kriminelë, trafikantë, korrupsion dhe pastrim parash, fundin e ka të pashmangshëm”, deklaroi ai, duke shtuar se përpjekjet për të mbyllur zërat kritikë nuk mund ta ndalin valën e denoncimeve.
Sipas Vasilit, “shteti, i deklaruar nga vetë Edi Rama, ka rënë dhe institucionet e tij nuk ekzistojnë”.
