Bota
Teherani hedh benzinë mbi krizë: Përgjigja do të jetë e shpejtë, e rëndë dhe më e dhimbshme
Përplasja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara duket se po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme.
Një ditë pas sulmeve amerikane ndaj tankerëve iranianë në Gjirin Persik, kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Uashingtonit.
Sipas tij, SHBA-ja duhet të kuptojë se “rregullat e lojës” në përballjen me Iranin kanë ndryshuar dhe se çdo sulm i ri ndaj interesave apo sigurisë iraniane do të marrë një përgjigje shumë më të ashpër.
Ghalibaf paralajmëroi se reagimi i ardhshëm i Iranit do të jetë “më i shpejtë, më i rëndë dhe më i dhimbshëm”, duke sinjalizuar se Teherani nuk synon të mbetet vetëm në nivelin e deklaratave politike.
Në të njëjtën kohë, Garda Revolucionare iraniane njoftoi se ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave amerikane në shenjë hakmarrjeje.
Sipas agjencisë shtetërore IRNA dhe televizionit shtetëror iranian, forcat iraniane kanë shënjestruar një mjet ushtarak amerikan pa pilot në zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Teherani pretendon se mjeti amerikan po përpiqej të depërtonte në një zonë të mbrojtur të kësaj hapësire strategjike.
Mesazhi i Iranit është i qartë: çdo goditje e re amerikane mund të sjellë një kundërpërgjigje të menjëhershme dhe më të fuqishme.
Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më të ndjeshme strategjike të Lindjes së Mesme, rrezikon kështu të shndërrohet në një nga vatrat kryesore të përshkallëzimit.
Përplasja tashmë nuk duket më thjesht një betejë deklaratash. Me sulmet e raportuara dhe kërcënimet për përgjigje të reja, çdo lëvizje e radhës mes Teheranit dhe Uashingtonit mund të përcaktojë nëse kriza do të frenohet apo do të hyjë në një spirale të re konfrontimi.
