Connect with us

Sport

“Unë gjithmonë mendoj se jam më i miri”/ Mbappé sfidon të gjithë, synon topin e artë

Kylian Mbappé nuk e fsheh më ambicien për të fituar për herë të parë në karrierë Topin e Artë. Sulmuesi i Real Madridit beson se këtë vit ka një mundësi reale për të triumfuar në garën individuale më prestigjioze të futbollit, edhe pse vendimi përfundimtar u takon gazetarëve që votojnë.

27-vjeçari vjen në këtë garë me një sezon të jashtëzakonshëm në aspektin individual. Me fanellën e Real Madridit, Mbappé realizoi 42 gola në 44 ndeshje, ndërsa në Kupën e Botës fitoi Këpucën e Artë me 10 gola. Me këto realizime, francezi e çoi në 22 numrin e golave të shënuar në historinë e tij në turneun më të madh të futbollit.

Megjithatë, në aspektin ekipor, sezoni nuk ishte i njëjtë, pasi Real Madridi nuk arriti të fitojë trofe, ndërsa Franca u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe e mbylli kompeticionin në vendin e katërt.

I pyetur për mundësinë e fitimit të Topit të Artë, Mbappé pranoi hapur se e sheh veten mes kandidatëve kryesorë.

“Kur luan për Real Madridin, klubin më të mirë në botë, njerëzit të lidhin me këtë çmim. Ka shumë njerëz që flasin për mua dhe Topin e Artë. Sigurisht, kam bërë histori në kompeticionin më të rëndësishëm. Ndoshta ky është një vit i mirë për këtë, por njerëzit votojnë sipas asaj që mendojnë”, u shpreh francezi.

Mbappé foli edhe për pozicionin e tij mes futbollistëve më të mirë në botë dhe nuk ngurroi të tregojë bindjen që ka për veten.

“Unë gjithmonë mendoj se jam më i miri, por secili ka mendimin e tij. Ndoshta njerëzit mendojnë ndryshe. Nuk mendoj se është një diskutim që duhet ta bëjmë”, tha ai.

Në fund, sulmuesi i Real Madridit e bëri edhe më të qartë objektivin e tij për këtë vit: Topin e Artë. “Sigurisht që ky vit mund të jetë i mirë për mua për të fituar Topin e Artë. Por votojnë gazetarët”, përfundoi Mbappé.

Advertisement