Connect with us

Aktualitet

Shteti bektashi në Tiranë/ I dërguari i Trumpit: Nëse populli e dëshiron, është gjë e mirë

I dërguari special i Presidentit Donald Trump në Ballkan për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka folur nga Kryegjyshata Bektashiane në Tiranë për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, bashkëpunimin dypalësh dhe projektin për krijimin e një shteti sovran Bektashi në kryeqytet.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Zampolli ka zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit Bektashi, drejtues të politikës shqiptare dhe pritet të takohet edhe me anëtarë të qeverisë. Në fokus të vizitës është edhe projekti për ndërtimin e një qendre të avancuar shëndetësore, për të cilin pritet bashkëpunim me partnerë amerikanë.

I pyetur për projektin e krijimit të një shteti sovran Bektashi në Tiranë, Zampolli tha se e ka dëgjuar propozimin si nga Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi. Sipas tij, në fund do të jetë populli shqiptar ai që do të vendosë dhe ky vendim duhet të respektohet nga komuniteti ndërkombëtar.

“E kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, deklaroi Zampolli.

Ai shtoi se nëse populli shqiptar e dëshiron këtë zhvillim, atëherë sipas tij bëhet fjalë për një gjë pozitive, ndërsa theksoi se duhet të jetë vetë populli ai që duhet të shprehet.

“Nëse populli juaj e dëshiron, mendoj se kjo është një gjë e mirë. Mirë, kam dëgjuar disa njerëz të flasin, por ndoshta jo popullin. Prandaj duhet të flasë populli”, u shpreh i dërguari amerikan.

Zampolli foli edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar Shqipërinë një mike dhe aleate të rëndësishme të SHBA-së në rajon.

“Mesazhi do të jetë se Shqipëria është një mike. Ju jeni një aleat, jeni shumë të rëndësishëm. Ne kemi nevojë për miq në rajon dhe na pëlqejnë miqësitë afatgjata”, deklaroi ai.

Sipas Zampollit, marrëdhënia mes dy vendeve është aktualisht e mirë, por mund të forcohet edhe më tej. Ai vuri në dukje gjithashtu lidhjet e forta që ekzistojnë përmes komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë qëndrimit në Kryegjyshatë, i dërguari amerikan foli edhe për projektin shëndetësor dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mjekësisë. Ai tregoi se përballet prej katër vitesh me kancerin dhe se kjo përvojë e ka bërë të kuptojë nga afër rëndësinë e trajtimit dhe kujdesit shëndetësor.

“Ne duhet t’i shërojmë njerëzit tanë dhe, padyshim, çfarë mund të jetë më mirë sesa të kemi një partneritet me amerikanët”, tha Zampolli.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëjetesës ndërfetare, duke e cilësuar vizitën në Kryegjyshatën Bektashiane si veçanërisht domethënëse.

Në axhendën e tij në Shqipëri janë edhe takimet me ministra dhe përfaqësues të grupeve parlamentare. Zampolli tha se synimi i vizitës është të përcjellë respektin e administratës amerikane ndaj Shqipërisë dhe të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sa i përket NATO-s, ai e cilësoi aleancën si një organizatë për të cilën ka nevojë rajoni dhe theksoi se Shqipëria gëzon mbështetjen e SHBA-së si anëtare e saj.

Advertisement