Aktualitet
Zjarret pushtojnë vendin/ Kreu i Emergjencave Civile: Ja zonat më të rrezikshme
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka dhënë detaje mbi situatën e zjarreve në vend, duke veçuar disa prej vatrave më shqetësuese të regjistruara gjatë natës.
Sipas Çakos, situata më problematike është paraqitur në zonën e Shkodrës, ndërsa vatra të tjera shqetësuese janë raportuar në Ungrej të Lezhës dhe në Burrel. Krahas këtyre zonave, gjatë natës janë regjistruar zjarre të shumta edhe në qytete të tjera dhe në zona rurale.
Çako theksoi se ndryshimi i drejtimit të erës favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve, duke e bërë njëkohësisht më të vështirë ndërhyrjen e forcave nga toka.
“Me ndryshimin e drejtimit të erës zjarri merr përmasa në një kohë shumë të shpejtë dhe e vështirëson ndërhyrjen nga toka”, deklaroi Çako për News24.
Kreu i Emergjencave Civile u ndal edhe te përdorimi i mjeteve ajrore për shuarjen e flakëve, duke sqaruar se nuk është e mundur që çdo vatër zjarri të fiket me helikopter. Sipas tij, është krijuar një perceptim se çdo zjarr kërkon ndërhyrjen e mjeteve ajrore, ndërsa kapacitetet aktuale të emergjencave janë angazhuar në disa zona njëkohësisht.
“Kemi aktivë 4 helikopterë dhe dy helikopterë Air Tractor”, tha Çako, duke theksuar se kapacitetet e disponueshme janë vënë në përdorim për përballimin e situatës.
Në fund, kreu i Emergjencave Civile ngriti edhe shqetësimin për shkaqet e zjarreve, duke deklaruar se shumica e rasteve dyshohet se lidhen me zjarrvënie të qëllimshme. Hetimet për përcaktimin e shkaqeve dhe përgjegjësive vijojnë nga autoritetet përkatëse.