Kosova
MINISTRI I KURTIT DENOHET ME 1 VIT BURG ME KUSHT
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar me një vit burgim me kusht dhe me shpenzime gjyqësore në shumën prej 70 eurosh për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Vendimi është shpallur një javë pasi Sveçla u shpall fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në vitin 2018.
“Caktohet dënimi me burgim, i cili dënim nuk do të mbahet nëse i njëjti nuk kryen vepër penale brenda afatit prej një viti, që do të thotë se dënimi kushtëzohet. I njëjti obligohet që të paguajë shpenzimet gjyqësore në shumën prej 50 eurosh, si dhe 20 euro për mbrojtjen e viktimave të krimit. Ndërsa, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë brenda 30 ditësh”, është thënë nga trupi gjykues.
Ndërsa, prokuroria në seancën gjyqësore deklaroi se për këtë vepër penale parashihet dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në dhjetë vjet.
Prokuroria kërkoi që Sveçlës t’i shqyrtohej dënimi me burgim efektiv në kohëzgjatje prej dy vjetësh, si dhe dënimi me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh.
Në vitin 2015 ishte raportuar për sulme të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në atë kohë ishte në opozitë. Situata e tensionuar në Kuvend kishte nisur në shtator të atij viti, me sulme me vezë dhe gaz lotsjellës.
Këto veprime kishin për qëllim kundërshtimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në tetor të vitit 2015, gjatë një seance plenare të udhëhequr nga ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, seanca ishte ndërprerë pasi deputetët e opozitës nga radhët e LVV-së kishin hedhur gaz lotsjellës në sallë.
Në atë kohë, ky veprim ishte ndërmarrë në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin.
Ndërkaq, në gusht të vitit 2016, gazi lotsjellës ishte rikthyer sërish në Kuvendin e Kosovës, gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, ku po shqyrtohej Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi.
Po ashtu, edhe në vitin 2018, gazi lotsjellës u hodh në Kuvend nga deputetë të LVV-së, në shenjë kundërshtimi ndaj ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.