Politike
Berisha fton kundërshtarët e PD-së: Ta përcjellim në banesën e turpit Ramën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se opozita po punon për krijimin e një koalicioni të gjerë politik në prag të zgjedhjeve lokale të 9 majit. Ai deklaroi se synimi është përfshirja e të gjitha forcave politike, grupeve të interesit dhe faktorëve që kundërshtojnë qeverisjen e Edi Ramës, pa kërkuar që ata të heqin dorë nga identiteti i tyre politik.
I pyetur nga gazetarët nëse kanë nisur kontaktet për krijimin e këtij koalicioni, Berisha u shpreh se bëhet fjalë për një model bashkëpunimi ndryshe nga aleancat e mëparshme politike. Sipas tij, në këtë bashkim mund të përfshihen edhe forca që kanë qëndrime kritike ndaj vetë Partisë Demokratike.
Kreu i PD-së theksoi se nuk do të përjashtohet asnjë faktor që e konsideron Edi Ramën si problemin kryesor të vendit. Ai deklaroi se synimi është largimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i kushteve për një kuadër të ri ligjor zgjedhor, me standarde që, sipas tij, do t’u mundësojnë të gjithë aktorëve politikë të garojnë dhe qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.