✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Vila 3 milionë, e shite 15 milionë euro”/ Balla shpërthen ndaj Shehajt

Përplasje me tone të ashpra në Kuvend mes Taulant Ballës dhe Agron Shehajt. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së e sfidoi deputetin e opozitës për një kërkesë të mundshme të Prokurorisë italiane për heqjen e imunitetit të tij, duke e pyetur nëse do të votonte pro apo kundër.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla e vuri disa herë në siklet me pyetjen e tij Shehajn, ndërsa nuk munguan as ironitë dhe sulmet personale. Socialisti iu referua edhe pasurisë së deputetit opozitar, duke ngritur pretendime për shitjen e një vile për 15 milionë euro, për të cilën tha se ishte blerë më parë për 3 milionë euro.

Gjatë replikës, Balla përdori edhe gjuhë fyese ndaj Shehajt, duke e quajtur “hajdut” dhe duke ironizuar deklaratat e tij të mëparshme. Megjithatë, në fjalën e tij nuk paraqiti dokumente që të vërtetonin pretendimet për transaksionin e pronës.

Pika kryesore e përplasjes mbeti sfida për imunitetin parlamentar. Balla kërkoi që Shehaj të deklaronte paraprakisht nëse do të mbështeste një kërkesë të autoriteteve italiane për heqjen e imunitetit, në rast se ajo do t’i drejtohej Kuvendit.

Replika u zhvillua gjatë diskutimeve për strehimin social, por debati u zhvendos shpejt në akuza personale dhe çështje që lidhen me pasurinë dhe imunitetin parlamentar.

Advertisement