✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

E qëllon në mes të ditës tre herë/ Publikohet videoja e vrasjes së shqiptarit në Spanjë

Janë publikuar pamjet e atentatit të rëndë ku mbeti i vrarë 39-vjeçari shqiptar Luka Beqiraj, më 10 nëntor në Spanjë. Shqiptari nga Vlora u ekzekutua në mes të ditës, ndërsa ndodhej në tarracën e një lokali në kompleksin sportiv “Playa Flamenca Sport Club”, në Orihuela Costa, në provincën e Alicantes.

Ngjarja ndodhi pak para orës 13:00. Në videon e publikuar shihet autori që i afrohet tavolinës ku ishte ulur Beqiraj dhe hap zjarr disa herë në drejtim të tij. Në momentin e sulmit, në tavolinë ndodheshin edhe persona të tjerë, të cilët largohen me vrap sapo dëgjohen të shtënat.

Pas atentatit, autori largohet nga vendi i ngjarjes me një monopatinë elektrike. 39-vjeçari humbi jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa personi që kreu sulmin vijon të jetë në kërkim nga autoritetet spanjolle.

Hetuesit dyshojnë se vrasja mund të jetë një atentat i organizuar dhe i kryer me pagesë. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht motivi i krimit. Në kuadër të hetimeve po shqyrtohen edhe lidhjet e mundshme me grupet e krimit të organizuar që veprojnë në zonat bregdetare të Alicantes dhe Mursias.

E kaluara kriminale e Beqirajt është gjithashtu pjesë e vëmendjes pas vrasjes. Në vitin 2016, ai u arrestua në Vlorë për plagosje të rëndë me dashje. Në vitin 2019, u arrestua gjatë një operacioni të përbashkët shqiptaro-italian kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

Një vit më pas, drejtësia italiane e dënoi me 4 vite e 6 muaj burgim për përfshirje në veprimtari të lidhura me trafikun e narkotikëve. Ndërkohë, hetimet në Spanjë vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të atentatit.

Advertisement