Politike
PD KA NDRYSHUAR SHUME/ KELLIÇI: JEMI RIPERTERITUR, 90% E ANETARESISE JEMI TE RINJ
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka mbrojtur procesin e ripërtëritjes së kësaj force politike, duke deklaruar se ai nuk është thjesht një slogan, por një realitet që, sipas tij, dëshmohet nga përbërja e strukturave drejtuese dhe përfshirja e të rinjve në parti.
Këlliçi tha se mbi 90% e anëtarëve të Kryesisë së PD-së janë zgjedhur për herë të parë. Sipas tij, bëhet fjalë për një brez të ri politikanësh, të cilët sjellin energji dhe përvojë të re në organizimin e partisë.
Ai theksoi gjithashtu se mosha mesatare e anëtarëve të Këshillit Kombëtar është rreth 35 vjeç, ndërsa në strukturat drejtuese janë përfshirë edhe gra dhe vajza.
Këlliçi pranoi se Partia Demokratike mund të ketë dështuar në përcjelljen e këtij mesazhi te publiku, por këmbënguli se ndryshimet janë konkrete. Si shembuj, ai përmendi edhe tre nënkryetarët e zgjedhur të partisë, duke veçuar Nikola Kedhin, të cilin e cilësoi si një të ri të mirëshkolluar dhe aktiv, me kontribut shumëvjeçar në PD.
Deputeti demokrat përmendi edhe përfshirjen e figurave nga diaspora dhe shoqëria civile, duke nënvizuar se një pedagoge në Bruksel do të angazhohet me çështjet e diasporës.
Një tjetër element që Këlliçi solli në mbështetje të argumentit të tij ishte Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Sipas tij, ky është i vetmi forum rinor partiak që ka mbetur aktiv në Shqipëri, ndërsa aktualisht ka hapur garën për zgjedhjen e strukturave në të gjithë vendin, përfshirë fakultetet dhe gjimnazet.
“Ripërtëritja nuk është vetëm slogan, pavarësisht të gjithë problemeve që kemi, por një realitet i pamohueshëm”, u shpreh Këlliçi.
Gjatë bisedës, ai foli edhe për protestën e radhës të opozitës, e cila është thirrur më 28 nëntor. Këlliçi deklaroi se PD-ja u ka bërë thirrje mbështetësve të marrin pjesë pa flamuj partiakë, ndërsa paralajmëroi se do të përfundojë edhe procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme.
“Për sa i përket ripërtëritjes, është një aspekt në të cilin si forcë politike kemi ceduar në përcjelljen e mesazhit deri në fund, pavarësisht disa të dhënave faktike.
Në Kryesinë e Partisë Demokratike, mbi 90% e anëtarëve janë zgjedhur për herë të parë. Bëhet fjalë për të rinj dhe të reja, politikanë që përfaqësojnë risi në këtë forcë politike.
Nëse jeni të hapur për t’i dhënë hapësirë opozitës, do të gjeni shumë të rinj të shkolluar, aktivë dhe figura që vijnë nga shoqëria civile.
Për herë të parë, mosha mesatare e anëtarëve të Këshillit Kombëtar është rreth 35 vjeç. Në këtë strukturë ka gjithashtu shumë gra, zonja dhe zonjusha.
Fakti që ky mesazh nuk është përcjellë siç duhet mund të jetë një mangësi e jona.
Për herë të parë kemi edhe tre nënkryetarë të zgjedhur në PD. Po përmend dy prej tyre: Nikola Kedhin, një të ri të mirëshkolluar dhe aktiv, rreth 30 vjeç, i cili ka dhënë kontribut prej vitesh në Partinë Demokratike. Shkrimet e tij janë publikuar edhe në disa media në SHBA dhe janë shpërndarë në rrjetet sociale, përfshirë edhe përmes një ripostimi në faqen e Trumpit.
Kemi gjithashtu pedagoge në Bruksel, e cila do të merret me çështjet e diasporës.
Këto janë të dhëna dhe fakte që tregojnë se ripërtëritja nuk ka mbetur thjesht një slogan, por është kthyer në realitet në Partinë Demokratike.
Në Forumin Rinor të PD-së, i cili është i vetmi forum rinor partiak që ka mbetur në Shqipëri, është hapur gara në të gjithë vendin. Po zgjidhen strukturat në fakultete dhe gjimnaze.
Këto janë tregues se ripërtëritja, pavarësisht të gjitha problemeve që kemi, nuk është vetëm slogan, por një realitet i pamohueshëm.
Ndërkohë, ka ndodhur edhe procesi i protestave dhe është thirrur protesta e radhës më 28 nëntor. Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë mbështetësve të marrin pjesë në protestë pa flamuj partiakë.
Po kështu, do të përfundojë edhe procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për zgjedhjet.” – deklaroi Kellici