Connect with us

Politike

Bardhi: Shkrirja e 15 bashkive sjell shpopullim, centralizim dhe varfërim

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Partisë Socialiste për të mos mbështetur zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, duke akuzuar mazhorancën se po synon centralizimin e pushtetit përmes ndryshimeve në hartën administrative.

Sipas Bardhit, që në nisje të procesit objektivi i PS-së ka qenë përfitimi elektoral dhe jo përmirësimi i shërbimeve për qytetarët apo forcimi i pushtetit vendor. Ai tha se refuzimi për të vijuar punën me konsensus tregon mungesë vullneti për të dëgjuar komunitetet, përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe ekspertët.

Deputeti demokrat kundërshtoi edhe propozimin për shkrirjen e 15 bashkive, duke e cilësuar atë një hap drejt dobësimit të qeverisjes vendore dhe largimit të shërbimeve nga qytetarët. Ai deklaroi se PD është kundër shkrirjes së bashkive Rrogozhinë, Divjakë, Patos, Fushë-Arrëz, Memaliaj, Prrenjas, Belsh, Cërrik, Dimal, Poliçan, Klos, Libohovë, Këlcyrë, Maliq dhe Selenicë.

Bardhi theksoi se çdo ndryshim i kufijve administrativë duhet të bëhet vetëm pas konsultimit me banorët e zonave të prekura, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet demokratike.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një reformë administrativo-territoriale që forcon pushtetin vendor, afron shërbimet me qytetarët dhe ndërtohet mbi dialogun, konsensusin dhe interesin publik, jo mbi interesa politike afatshkurtra.

Advertisement