Connect with us

Politike

Berisha kundër uljes së bashkive: Rama po vijon antireformën territoriale, synon shpopullimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po vijon një proces që ai e cilësoi “antireformë territoriale”, duke pretenduar se mazhoranca synon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Në një deklaratë gjatë prezantimit të qëndrimit të PD-së për reformën territoriale, Berisha përgëzoi grupin e punës të drejtuar nga Luçiano Boçi, duke thënë se opozita ka hartuar një projekt të ri që, sipas tij, synon zhvillimin e zonave rurale dhe afrimin e shërbimeve me qytetarët.

Berisha deklaroi se qeveria u tërhoq nga procesi i konsultimeve për reformën territoriale, pasi sipas tij, gjatë takimeve në terren propozimet e Partisë Demokratike morën mbështetje nga komunitetet lokale.

“Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur. E kuptoi se reforma territoriale ka ngjallur një pakënaqësi të madhe”, u shpreh Berisha.

Sipas kreut të PD-së, reduktimi i numrit të bashkive do të dëmtonte më tej zonat rurale dhe do të përkeqësonte aksesin e qytetarëve në shërbime publike.

Ai kritikoi edhe reformën territoriale të vitit 2014, duke e akuzuar qeverinë se ka larguar vendimmarrjen nga komunitetet dhe ka ndikuar në braktisjen e zonave periferike.

Berisha tha se reforma e re territoriale e propozuar nga PD duhet të shërbejë si një hap drejt decentralizimit dhe rikthimit të zhvillimit në zonat e lëna pas dore.

Ndërkohë, mazhoranca ka argumentuar se rishikimi i hartës territoriale synon rritjen e efikasitetit të administrimit vendor dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Advertisement