Politike
“Hallin tim e zgjidh veç Bela”/ Rama “e kërcënoi”, Veliaj letër Ballukut
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një tjetër letër nga burgu i Fierit, këtë herë drejtuar ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në letër, Veliaj i kërkon asaj të ndërhyjë për të mundësuar kryerjen e një operacioni në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes.
Veliaj pretendon se prej një muaji po mbahet në izolim në burgun e Fierit, pavarësisht se ka një këmbë të thyer dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale. Ai thotë se kërkesat e tij drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit Toni Gogu dhe Drejtorisë së Burgjeve nuk kanë marrë përgjigje.
Në letër, Veliaj përcjell edhe atë që, sipas tij, thuhet brenda burgut për dobësimin e autoritetit të kryeministrit, duke pretenduar se vendimmarrja tashmë është përqendruar te Belinda Balluku.
“Hallin tënd e zgjidh veç Bela”, citon Veliaj, duke ironizuar edhe me faktin se po i drejtohet asaj në ditën e “Pranisë Besnike”. Në fund, ai e firmos letrën me shprehjen “Socialisti me duar të lidhura”.
Letra e Veliajt: “Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj”
