Politike
BUSHATI IRONI ME RINOVIMIN E PD: KANE MENTALITETIN DHE MOSHEN E SALI BERISHES
Analisti Andi Bushati ka kritikuar mënyrën se si Partia Demokratike e paraqet rinovimin e saj përmes përfshirjes së deputetëve të rinj në moshë, duke deklaruar se ndryshimi i brezave nuk ka sjellë ndryshim të ideve dhe mentalitetit politik.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Bushati tha se rinovimi i një partie nuk matet me moshën e deputetëve, por me idetë që ata përfaqësojnë dhe mënyrën se si bëjnë opozitë.
Sipas tij, pavarësisht emrave të rinj, Partia Demokratike vijon të funksionojë rreth figurës së Sali Berishës, pa krijuar hapësirë për mendime të ndryshme.
“Nga pikëpamja statistikore kjo pasqyrë mund të jetë e vërtetë, por kjo mund të vlejë për gjendjen civile, që shënon moshën aty. Por unë kam një koncept të ndryshëm kur flitet për rinovim. Të flitet për rinovim në atë parti, duhet të dëgjojmë ide të reja. Rinovim, po të shohësh grupin e Zegjinesë, më të rinovuar seç janë ata, treçerekun nuk i njohim, por nga mendja janë më pleq se deputetët e ’92. Këtë rinovim nuk e shoh unë, por shoh plakje të PD-së”, deklaroi Bushati.
Analisti theksoi se një opozitë e rinovuar duhet të ketë shumëllojshmëri qëndrimesh dhe jo të mbështetet vetëm te zëri i kryetarit. Ai solli si shembull edhe bashkimin e demokratëve pas përplasjeve të brendshme, duke vënë në dukje se ish-kritikët e Berishës nuk kanë ruajtur qëndrimet e tyre të mëparshme.
“Rinovim është të dëgjojmë ide të reja, opozitë polifonike, jo opozitë ku dëgjohet vetëm zëri i Berishës. PD bëri një lloj bashkimi të sforcuar duke marrë grupin e kritikëve të Berishës. Minimumi do ta quaja risi që ata që mbronin selinë para hunjve të grupit tjetër, të ruanin disa nga mendimet e tyre. Edhe grupi i bashistëve u berishizua. Kjo tregon për një parti që në të gjitha dimensionet e saj ka marrë format, mentalitetin dhe moshën e Saliut”, u shpreh Bushati.
Për Bushatin, përfshirja e figurave të reja dhe rikthimi i ish-kritikëve nuk përbëjnë rinovim për sa kohë nuk shoqërohen me ide të ndryshme dhe debat të brendshëm. Ai e përshkroi PD-në si një parti ku, pavarësisht ndryshimeve në përbërje, mbizotëron i njëjti model politik i lidhur me Berishën.