Aktualitet
Punonjësit e Rrogozhinës bojkotojnë punën: Mos e zhdukni bashkinë, po na humbni identitetin
Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë kanë bojkotuar këtë të hënë punën në shenjë proteste ndaj propozimit të Partisë Socialiste për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Kavajës.
Administrata vendore shprehet kundër ndryshimit territorial, duke argumentuar se Rrogozhina plotëson kriteret për të vijuar të jetë njësi administrative më vete dhe se një bashkim i tillë rrezikon të cenojë identitetin dhe shërbimet për qytetarët.
Punonjësit akuzojnë drejtuesit e reformës se nuk kanë marrë parasysh të dhënat reale të bashkisë dhe kërkojnë që vendimi të rishikohet. Sipas tyre, Rrogozhina ka burime njerëzore dhe financiare të mjaftueshme për të funksionuar më vete dhe ka një histori të gjatë si bashki.
“Bashkisë Rrogozhinë po i bëhet një padrejtësi shumë e madhe. Ne i plotësojmë të gjitha kriteret për të qëndruar si bashki. Nuk e pranojmë bashkimin me Kavajën”, u shpreh një prej punonjësve.
Një tjetër përfaqësues i administratës i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të reformës territoriale që të rishikojnë vendimin, duke argumentuar se ndryshimi mund të ndikojë drejtpërdrejt në shërbimet ndaj qytetarëve.
Propozimi për një hartë të re territoriale që parashikon shkrirjen e disa bashkive ka sjellë reagime dhe protesta në disa zona të vendit, ku banorë dhe administrata lokale kërkojnë që komunitetet të konsultohen përpara çdo ndryshimi.