Politike
Senati amerikan avancon kandidaturën e Eric Wendt, një hap më pranë postit të ambasadorit në Shqipëri
Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë procedurale që i hap rrugën shqyrtimit dhe votimit të kandidaturës së Eric Wendt për ambasador të SHBA-së në Shqipëri.
Rezoluta u miratua me 50 vota pro dhe 47 kundër, duke përfshirë në paketën e shqyrtimit 74 emërime të administratës amerikane. Megjithatë, kjo nuk përbën ende konfirmimin përfundimtar të Wendt, por vetëm mundëson kalimin e kandidaturës së tij në votim në Senat.
Nëse konfirmohet, Eric Wendt do të jetë ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë që nga largimi i Yuri Kim në qershor të vitit 2023. Që prej asaj kohe, ambasada amerikane në Shqipëri është drejtuar nga të ngarkuar me punë.
Kandidatura e Wendt u paraqit në Senat nga Presidenti Donald Trump më 13 prill 2026. Gjatë dëshmisë së tij para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, ai theksoi se do të punojë për forcimin e marrëdhënieve SHBA–Shqipëri, me fokus në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, nxitjen e investimeve amerikane, si dhe mirëqenien e stafit diplomatik në Tiranë.
Me një karrierë mbi 34-vjeçare në ushtrinë amerikane dhe përvojë në strukturat e NATO-s, Wendt ka vlerësuar bashkëpunimin me Forcat Speciale shqiptare, duke i cilësuar ato si një partner të rëndësishëm të SHBA-së.
Kandidatura e tij ishte miratuar më herët nga Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit dhe tashmë pret votimin përfundimtar në seancë plenare.