Politike
Zvërneci/ Balla flet para Bundestagut: Investimi sipas standardeve europiane
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim në Kuvend me kryetaren dhe anëtarët e Komisionit për Turizmin të Bundestagut gjerman, ku në fokus ishte zhvillimi i sektorit të turizmit dhe forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Gjatë diskutimeve, Balla u ndal edhe te projekti i investimit në Zvërnec, duke e paraqitur atë si një mundësi për të dëshmuar se investimet e mëdha ndërkombëtare mund të realizohen në Shqipëri në përputhje me standardet europiane.
Sipas Ballës, projekti po hartohet mbi parimet e investimit të përgjegjshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe krijimit të vlerës së qëndrueshme për komunitetin dhe ekonominë vendase. Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së vijës bregdetare dhe ekosistemeve natyrore, duke deklaruar se synimi është që projekti të përmbushë ose të tejkalojë standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.
Një tjetër objektiv i deklaruar është që një pjesë e përfitimeve ekonomike të investimit të mbetet në Shqipëri. Për këtë, sipas Ballës, parashikohet punësimi i forcës vendase, zhvillimi i aftësive profesionale, përfshirja e bizneseve shqiptare në zinxhirin e furnizimit dhe rritja e aktivitetit ekonomik në rajonin e Vlorës.
Në takimin me delegacionin gjerman u diskutua gjithashtu rëndësia e tregut gjerman për turizmin shqiptar. Balla bëri të ditur se gjatë prillit 2026, turistët gjermanë përbënin 8% të vizitorëve të huaj të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri.
Takimi vjen në kuadër të diskutimeve për zgjerimin e bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani në turizëm, ndërsa projekti i Zvërnecit mbetet një prej investimeve të përmendura nga pala shqiptare në këtë sektor.