✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

10 miliardë euro/ Deputeti socialist sfidon opozitën: Buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, fakt

Deputeti socialist Bledi Çuçi ka mbrojtur projektbuxhetin e vitit 2027 në Kuvend, duke iu përgjigjur kritikave të deputetes demokrate Jorida Tabaku. Ai e cilësoi atë si “buxhetin më të madh në histori” dhe kundërshtoi etiketimin e tij si “kriminal”, duke argumentuar se parashikon rritje të mbështetjes në disa sektorë dhe kategori shoqërore.

Gjatë fjalës së tij, Çuçi u ndal te politikat fiskale, duke theksuar se ruhet tatim-fitimi prej 15% për kompanitë, ndërsa biznesi i vogël vijon të përfitojë nga niveli zero i taksimit. Ai përmendi gjithashtu dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët, indeksimin e pensioneve nga muaji prill dhe mbështetjen e re për fëmijët deri në moshën pesë vjeç.

Sipas Çuçit, projektbuxheti parashikon edhe rritjen e bursave për studentët në nevojë dhe uljen e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%. Për Ministrinë e Brendshme, ai tha se financimi rritet me rreth 10 milionë euro, ndërsa 8 500 punonjës policie pritet të përfitojnë rreth 230 euro më shumë në muaj.

Në fund, Çuçi ngriti edhe çështjen e pagave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. Ai tha se pas indeksimit të fundit, paga e policisë ka kaluar atë të Gardës, ndaj kërkoi që gjatë shqyrtimit nen për nen të projektbuxhetit të rishikohet barazimi i pagave mes dy institucioneve.

Advertisement