Bota
Muzika italiane humbet ’mustaqet’ mitike të ‘Ricchi e Poveri’
Me vdekjen e Franco Gatti-t, një prej 4 antarëve të grupit muzikor historik ‘Ricchi e Poveri’, një pjesë e muzikës së lehtë italiane mbeti bosh, kurse brezi shqiptar i viteve të arta të muzikës që dëgjohej fshehurazi, nuk i beson lajmit dhe rikthen vitet e rinisë me fërshëllimën e refreneve të paharruara.
Grupi, i cili më pas u reduktua në një treshe dhe më vonë në dyshe, lindi si një kuartet, i formuar nga dy zëra mashkullorë dhe dy femëror, sipas traditës së grupeve vokale amerikane.
Në shkurt 2020 në skenën e ‘Teatrit Ariston’ për ‘Festivalin e Sanremos’ u firmos ribashkimi i trios Angela Brambati, Marina Occhiena dhe Angelo Sotgiu.
E tyre është një karrierë e mbushur me suksese të mëdha që kanë bërë breza të tërë të këndojnë e të kërcejnë, hite që u bënë ndërkombëtare si “Sarà perché ti amo”, “Che sarà”, “Mamma Maria” apo dhe “La prima cosa bella”. Një stil muzikor i dashur edhe jashtë vendit ashtu si ai i Albanos dhe Rominës, aq sa edhe mediat ruse me të dëgjuar lajmin deshën të kujtonin figurën e “mustaqeve mitike” të të pasurve dhe të varfërve.
Për disa janë thjesht këngë, por për shumë kritikë ato janë lloji i muzikës së rrallë që shkon drejt e në mendje e zemër. Formula e tyre e suksesit konsiston në përzierjen e muzikës së lehtë italiane me harmonizime që marrin shkas nga tingujt e grupeve amerikane të asaj periudhe.
‘Ricchi e Poveri’ janë ndër artistët italianë më të shitur në botë. Në vitet ’70 dhe ’80, disa nga këngët e tyre arritën në krye të toplistave italiane dhe ndërkombëtare. Ata kanë marrë pjesë në dymbëdhjetë edicione të Festivalit të Sanremos, duke arritur dy herë në vendin e dytë dhe duke fituar në vitin 1985 me “Se m’innamoro”. Në vitin 2018 ata festuan një gjysmë shekulli suksese me më shumë se 20 milionë disqe të shitura në mbarë botën