Connect with us

Aktualitet

‘Avullimi’ i biletave me Çekinë/ Qori: Bli lirë e shit shtrenjtë

Arlind Qori ka komentuar shitjen e biletave të ndeshjes Shqipëri-Çeki. Me anë të një postimi në Facebook Qori është shprehur se spekulantët kanë akaparuar mijëra bileta dhe janë në pritje të rritjes së çmimit të tyre. Sa më shumë afrohet dita e ndeshjes, aq më lart shkon çmimi, duke u mundësuar spekulantëve norma fitimi nga 100% deri në 1000%.

Postimi:

Çka ndodhur me biletat e ndeshjes Shqipëri-Çeki është spekulim i pastër. Duke ditur interesimin e jashtëzakonshëm të tifozerisë, spekulantët, njerëz të rrahur me vaj e me uthull duke bërë para përmes praktikës “bli lirë e shit shtrenjtë”, me ose pa ndihmën e drejtuesve të FSHS, kanë blerë për pak orë, në mos i kanë blerë përpara nisjes së shitjes zyrtare, thuajse të gjitha biletat. Kjo është e mundur sa kohë shitësi i biletave, FSHF, nuk vendos prag të numrit të biletave që mund të blejë një person, p.sh 3, 4 ose 5 bileta. Dhe mbi të gjitha nuk u kërkon kartën e identitetit në hyrje blerësve të biletave. Në këto kushte spekulantët kanë akaparuar mijëra bileta dhe janë në pritje të rritjes së çmimit të tyre. Sa më shumë afrohet dita e ndeshjes, aq më lart shkon çmimi, duke u mundësuar spekulantëve norma fitimi nga 100% deri në 1000%.

Problemi me këtë situatë, përveç zhvatjes së tifozëve, është që një numër biletash mund të mbeten të pashitura deri në fund pasi spekulanti deri 5 minuta përpara fillimit të ndeshjes do të këmbëngulë ta shesë biletën me 5-fishin apo 10-fishin e çmimit zyrtar. Kësisoj paradoksalisht në ndeshjen më të rëndësishme të historisë së futbollit shqiptar stadiumi mund të mos jetë i mbushur plot. Kjo situatë nuk erdhi nga hiçi, por është produkt i matrapazllëkut dhe/ose dallkaukllëkut të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Federata Shqiptare e Futbollit nxori dje në shitje biletat e ndeshjes Shqipëri -Çeki, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Për duelin e datës 12 tetor që do luhet në “Air Albania” interesi i tifozëve ka qenë i madh, duke bërë që serveri i faqes online të ishte “në tokë” për shumicën e kohës. Tashmë nuk ka më bileta në shitje.

Advertisement