Bota
DINJITETI GJAKOSUR/ Reflektim në orë qetësie, Merz kthen vëmendjen nga Gaza dhe akuzon Izraelin

Kancelari gjerman, Friedrich Merz duke folur në Bundestag, ka theksuar se “Izraeli ka të drejtë të mbrojë ekzistencën e tij dhe sigurinë e qytetarëve të tij”, dhe Gjermania do të qëndrojë e bashkuar me të. Por gjithashtu ai adresoi edhe kritika ndaj veprimeve izraelite në Rripin e Gazës, duke thënë se “po vihet në pikëpyetje se çfarë qëllimi po përpiqet të arrijë Izraeli atje”.
Merz gjithashtu bëri thirrje për “dinjitet njerëzor” për banorët e Gazës dhe theksoi se ka ardhur momenti për të rënë dakord për të patur armëpushim.
Lidhur me Iranin, ai e bëri shumë të qartë se “nuk duhet të zotërojë armë bërthamore” dhe i vlerësoi sulmet izraelite dhe amerikane ndaj objektivave atje.
Merz tha se “ne do të konsultohemi me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë” në margjinat e samitit të NATO-s “se si situata tani mund të stabilizohet më tej”.
Duke kaluar te Ukraina, Merz deklaroi se duke përfituar nga zhvendosja e fokusit global në Lindjen e Mesme dhe duke vazhduar sulmet e tij ndaj Ukrainës, Vladimir Putin i Rusisë nuk tregon interes të vërtetë për të ndjekur paqen.
Kancelari gjerman theksoi se “një paqe e vërtetë dhe e qëndrueshme kërkon gatishmëri nga të gjitha palët”, dhe sinjalet që vijnë nga Rusia po tregojnë se “ajo aktualisht nuk është gati për paqe, por krejt e kundërta”.
Ai i kërkon aleatëve të BE-së të mbështesin paketën e 18-të të sanksioneve për të “goditur flotën në hije që Putini po përdor për të financuar makinën e tij të luftës”.

