Politike
ERIC WENDT VOTOHET PER AMBASADOR NE SHQIPERI
Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri.
Kandidatura e tij mori miratimin përfundimtar me 51 vota pro dhe 47 kundër në seancën plenare të Senatit, duke i hapur rrugën marrjes së detyrës diplomatike në Tiranë.
Votimi përfundimtar vjen pasi kandidatura e Wendt kishte kaluar më herët me sukses edhe në Komitetin për Punët e Jashtme të Senatit, ku siguroi mbështetjen e shumicës së anëtarëve.
Me këtë vendim përfundon e gjithë procedura institucionale e konfirmimit dhe pritet që ai të nisë zyrtarisht detyrën në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane.
Emërimi i ambasadorit të ri po ndiqet me interes në Shqipëri, veçanërisht në një periudhë kur vendi përballet me sfida që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e reformave institucionale.
Rikthimi i një ambasadori të plotfuqishëm amerikan në Tiranë shihet si një sinjal i angazhimit të vazhdueshëm të Uashingtonit ndaj proceseve demokratike dhe zhvillimeve politike në vend.
Pritshmëritë janë që Wendt të ketë një rol aktiv në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si dhe në mbështetjen e reformave kyçe që konsiderohen të rëndësishme për integrimin euroatlantik dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Për shumë aktorë politikë në Tiranë, ardhja e ambasadorit të ri mund të shënojë fundin e një periudhe relativisht të qetë në raportet me diplomacinë amerikane, duke sjellë një vëmendje më të shtuar nga Uashingtoni ndaj zhvillimeve politike, institucionale dhe çështjeve që lidhen me qeverisjen në Shqipëri.