Politike
RAMA NGA BERLINI: IRANI LUFTE HIBRIDE NDAJ SHQIPERISE
Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar nderi në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor që u zhvillua në Berlin.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te sfidat që lidhen me sulmet kibernetike dhe përhapjen e dezinformatave, duke theksuar se Shqipëria ka qenë një nga vendet e prekura nga këto fenomene.
“Sulmet kibernetike janë një problem madhor, me të cilin është përballur edhe Shqipëria. Kishte edhe dezinformata. U tha se do të ketë masakër mjedisore, u tha se ka korrupsion madhor, pa u provuar kjo gjë”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, përhapja e informacionit të pavërtetë ka ndikuar në krijimin e pakënaqësive dhe tensioneve në opinionin publik.
Rama tha se dezinformimi ka nxitur pakënaqësi të mëdha në publik, ndërsa theksoi se ky fenomen nuk është vetëm shqiptar, por një problem që prek të gjithë Europën dhe botën. Rama u shpreh se ata që nxisin “lincime digjitale” do të humbasin herët a vonë.
“Indinjata nga dezinformimi krijoi mijëra të pakënaqur. Ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por edhe europian e botëror. Por ata që bëjnë linçime digjitale do të humbasin herët a vonë”, u shpreh ai.
Më tej, Rama u shpreh se lufta është rikthyer në Evropë dhe konkurrenca strategjike është bërë globale, ndërsa teknologjia po transformon jo vetëm ekonomitë dhe sistemet politike, por edhe mënyrën se si shoqëritë lidhen me njëra-tjetrën.
Ai nënvizoi gjithashtu se rënia demografike po riformëson rajone të tëra, ndërsa një “dimër demografik” po kërcënon të ardhmen e afërt të Evropës.
“Jam piktori më i madh mes kryeministrash. Ballkani perëndimor është një rajon i tërë i rrethuar nga Bashkimi Evropian, fizikisht i dizajnuar në zemër të Evropës, por i përjashtuar nga portreti i Evropës”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu rikonfirmoi objektivin e Shqipërisë për integrimin europian, duke deklaruar se vendi po avancon me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Europës i duhet rajoni ynë. Kjo sepse ne jemi një rajon, që kemi pasuritë tona natyrore. Këto pasuri janë të lakmuara nga Rusia dhe nga Kina. Mirëpo ne i përkasim kontinentit europian dhe duhet të zhvillohemi bashkë me pjesën tjetër të Europës. Ne jemi duke ecur shpejt drejt integrimit në BE. Ne duam që të bëhemi pjesë e BE-së përpara se të mbarojë kjo dekadë. Ne po bëjmë transformimin më të madh në historinë tonë”, tha ndër të tjera Rama.
Sipas Ramës, procesi i reformave dhe modernizimit të vendit është i lidhur ngushtë me perspektivën europiane, ndërsa Shqipëria synon të përmbushë të gjitha standardet e nevojshme për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimi Europian brenda viteve të ardhshme.
“Integrimi në BE nuk mund të bëhet një shtyrje pa fund. Zgjidhja nuk është e komplikuar. Na jepni pjesëmarrjen, që hap pas hapi të dëshmojmë potencialet tona. Me hapa të ngadaltë, ne do të bëjmë çdo gjë që kërkon familja e madhe europiane. Shqipëria është duke punuar shumë në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Teknologjia në shërbime është rruga nga periferia drejt qendrës. Ballkani Perëndimor në BE do i japë Europës më tepër potencial. Me ne, më e fortë do jetë vetë BE-ja”, deklaroi Rama.