Aktualitet
KONCERTI NE TIRANE, BLLOKOHEN RRUGET, NUK KA PARKIME
Sot do të mbahet në Tiranë koncerti i këngëtarit të njohur ndërkombëtarisht, Kanye West. Për të garantuar zhvillimin në normalitet të eventit, prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, policia ka nisur disa kufizime në qarkullimin e automjeteve rreth zonës ku është ngritur “Eagle Stadium”, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës Prej orës 07:00 të kësaj të shtune, deri në mesnatë, nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në rrugën dytësore për në hyrje të Tiranës nga kompleksi “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Në këtë aks mund të lëvizet për dalje. Shef i Seksionit Interurban në Policinë Rrugore, Lulzim Marini tha se autostrada Tiranë-Durrës do të jetë e hapur.
“Autostrada Tiranë-Durrës nuk do të jetë e bllokuar nga të dyja krahët. Është menduar të bllokohet vetëm pjesa e daljes nga autostrada Durrës-Tiranë që vjen te pjesa e Agnës, është pjesë e daljes së rrugës dytësore. Rrethrrotullimi te Casa Italia do të jetë edhe funksional, aty do kalojnë taksitë dhe autobusët. Çdo qytetar që do iki nga Tirana në Durrës kalon normalisht. Nuk do ketë bllokime, ndaj kemi marrë gjithë këto masa shtesë, kemi angazhuar gjithë forcat tona dhe mendojmë që do shkojë gjithçka mirë”, tha Marini.
Mesditën e kësaj të shtune, për 12 orë deri në mesnatë, do të ketë ndalim të qarkullimit përreth stadiumit, pranë Casa Italia, rruga “Pavarësia” dhe rruga “Sokrat Miho”. Në të njëjtën fashë orare, rrugët “Sokrat Miho”, “Kasem Shima” dhe “7 Nëntori”, do të funksionojnë vetëm me sens daljeje. Shef i Seksionit Interurban tha se transporti do të bëhet me autobus. Por duke qenë se në zonë nuk ka parkim makinash, njerëzit mund të sillen me makina, që automjetet më pas të largohen, ose të vijnë me taksi. Koncerti nis në orën 20.00. Policia do të jetë aty për të menaxhuar nga momenti kur personat që kanë blerë bileta do të hyjnë për në stadium, në orën 18:00, ashtu edhe daljen nga eventi të fansave, deri në mesnatë.