Connect with us

Politike

Berisha: Nuk jemi kundër marrëveshjes me SHBA, por kundër procedurës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se grupi parlamentar i PD-së është i gatshëm të votojë pro marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake, nëse procedura e miratimit rikthehet në përputhje me Kushtetutën.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se opozita mbështet rritjen e investimeve në mbrojtje dhe marrëveshjen me SHBA, por kundërshton mënyrën se si ajo u miratua në Kuvend.

Sipas tij, Partia Demokratike mbështet kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, ndërsa falënderoi qeverinë amerikane për kredinë që, sipas tij, do t’i mundësojë Shqipërisë blerjen e pajisjeve moderne për Forcat e Armatosura.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkelur procedurat kushtetuese gjatë shqyrtimit të marrëveshjes në Parlament. Ai pretendoi se dokumenti u fut në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar, pa respektuar afatet kushtetuese dhe pa u dhënë deputetëve mundësinë ta shqyrtonin plotësisht.

Kreu i demokratëve tha se opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar procedurën e ndjekur dhe jo përmbajtjen e marrëveshjes.

“Ne nuk kemi asnjë kundërshtim me marrëveshjen. Nëse procedura rikthehet në përputhje me Kushtetutën, deputetët e Partisë Demokratike janë të gatshëm të mblidhen dhe ta votojnë atë”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se kjo qëndrim i është bërë i ditur edhe palës amerikane, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se ka përdorur procedurën parlamentare për të krijuar, sipas tij, një përplasje politike me opozitën.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur marrëveshja për financimin amerikan të blerjes së pajisjeve ushtarake është bërë objekt debati politik dhe pritet të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese lidhur me procedurën e miratimit.

Advertisement