Aktualitet
EMRI/ Dyshohet se ka humbur jetën brenda minierës, vijojnë kërkimet për gjetjen e minatorit
Vijojnë kërkimet për gjetjen e minatorit Ilir Koloveri, 40 vjeç, i cili dyshohet se ka humbur jetën pasi mbeti i bllokuar në një nga galeritë e minierës në zonën e Tërnovës së Madhe, në Njësinë Administrative Zerqan të Bashkisë Bulqizë.
Ekipet e shpëtimit, së bashku me specialistët e minierës dhe strukturat përgjegjëse, kanë punuar gjatë gjithë natës dhe operacioni ka vijuar edhe në orët e mëngjesit, me synim lokalizimin dhe nxjerrjen e minatorit nga galeria.
Sipas të dhënave paraprake, 40-vjeçari ka mbetur i bllokuar pas një shembjeje të masës minerare. Kushtet e vështira nëntokësore, rreziku për shembje të tjera dhe sasia e madhe e materialit të rrëzuar kanë vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve, të cilat po avancojnë me kujdes për të garantuar sigurinë gjatë operacionit.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria në minierat e Bulqizës, ku ndër vite janë shënuar disa aksidente të rënda me minatorë. Një prej rasteve më të dhimbshme ishte ai i vitit 2021, kur minatori Muharrem Plaku mbeti i bllokuar në një galeri dhe u nxor pas një operacioni të gjatë kërkim-shpëtimi.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet do të vijojnë pa ndërprerje deri në përfundimin e operacionit, ndërsa informacionet e reja do të bëhen publike sapo të ketë zhvillime.
Aksidenti i fundit në Bulqizë rikthen edhe një herë në fokus kushtet e punës në sektorin minerar dhe nevojën për kontrolle e masa më të forta sigurie për mbrojtjen e jetës së minatorëve.