Connect with us

Politike

‘Qeveria po braktis 175 mijë familje’/ Tabaku: Industria fason po shkon drejt falimentimit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se, pas 13 vitesh në pushtet, e ka çuar industrinë fason drejt një krize të thellë, duke rrezikuar mijëra vende pune dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se mbi 175 mijë familje shqiptare po përballen me pasojat e një modeli ekonomik që, sipas saj, ka dështuar të mbështesë prodhimin dhe punësimin.

Sipas saj, sektori fason po goditet nga mungesa e mbështetjes shtetërore, zhvlerësimi i euros, rritja e kostove të prodhimit dhe niveli i lartë i taksave, faktorë që po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e bizneseve.

Deputetja demokrate akuzoi gjithashtu qeverinë se ekonomia shqiptare po deformohet nga paratë e pista dhe krimi i organizuar, të cilat, sipas saj, po dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe po penalizojnë sipërmarrjet prodhuese.

“Paratë e pista dhe krimi i organizuar po helmojnë konkurrencën dhe ekonominë. Ndërkohë, qeveria as e mbështet dhe as e subvencionon industrinë fason, e goditur rëndë edhe nga zhvlerësimi i euros, kostot e larta dhe taksat. Në mes të kësaj tragjedie që po konsumon jetën e mijëra familjeve, Shqipëria po humbet markën ‘Made in Albania’”, u shpreh Tabaku.

Ajo shtoi se pamjet e fabrikave që nxirren në shitje dhe të sipërmarrësve që po transferojnë aktivitetin jashtë vendit janë, sipas saj, tregues i dështimit të politikave ekonomike të qeverisë.

Në përfundim, Tabaku theksoi se pa një sektor të fortë prodhues nuk mund të ketë ekonomi të qëndrueshme, vende pune dhe rritje të eksporteve, duke kërkuar politika që mbështesin sipërmarrjen dhe industrinë vendase.

Advertisement