Politike
SPAK sqaron kallëzimin në Itali ndaj Altin Dumanit: Pse u kerkua përjashtimi i ish drejtuesit të SPAK
Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas raportimeve për një kallëzim të bërë në Itali ndaj ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, duke sqaruar kronologjinë e veprimeve procedurale dhe rrethanat e çështjes.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Petrit Çela i është drejtuar drejtuesit të SPAK më 20 maj dhe 18 qershor 2026 me kërkesë për përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku të pandehur janë Marjus Lulaj dhe Mario Çela, familjarë të tij.
Në mbështetje të kërkesës së tij, Çela ka paraqitur si argument kallëzimin penal të bërë në Itali ndaj Dumanit. SPAK bën me dije se pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur, më 19 qershor 2026 është vendosur mospranimi i saj, pasi është vlerësuar si e pambështetur në ligj dhe prova.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në Prokurorinë e Veronës është regjistruar një procedim penal për veprën penale të “shpifjes” sipas Kodit Penal italian, mbi bazën e kallëzimit të Petrit Çelës ndaj Altin Dumanit.
SPAK sqaron se Prokuroria e Veronës kishte kërkuar arkivimin e procedimit më 21 prill 2026, ndërsa kërkesa ishte depozituar më 14 maj. Kundër këtij vendimi, Çela ka paraqitur kundërshtim, duke çuar çështjen për shqyrtim pranë Gjykatës së Veronës.
Në njoftimin e saj, SPAK thekson se lidhja e vetme e Altin Dumanit me bashkëpunimin hetimor ndërkombëtar ka qenë nënshkrimi, në cilësinë e drejtuesit të SPAK, i dokumenteve institucionale për krijimin e një skuadre të përbashkët hetimore (JIT) me Prokurorinë e Veronës.
Sipas SPAK, Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor, nuk ka kryer veprime hetimore, nuk ka marrë në pyetje persona dhe nuk ka marrë pjesë në procedurat e sekuestrimit apo kërkesat për sekuestrim. Prokuroria thekson gjithashtu se ai ka marrë dijeni për procedimin penal në Itali vetëm në maj të vitit 2026, pas kërkesës për arkivim nga autoritetet italiane.
Në përfundim të reagimit, SPAK argumenton se kallëzimi ndaj Dumanit është përdorur si bazë për kërkesën e përjashtimit nga dosja nr. 193/2023 dhe se ekziston një lidhje mes kallëzuesit Petrit Çela dhe interesit të tij familjar në këtë procedim penal.