Connect with us

Aktualitet

Ambasada e SHBA në Tiranë reagon për huanë 302 milionë dollarë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes së huasë në kuadër të programit amerikan Foreign Military Financing (FMF), duke theksuar se financimi i ri do të ndihmojë Shqipërinë në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ambasada njoftoi se bëhet fjalë për një kredi prej 302 milionë dollarësh, e cila do të mbështesë vendin në përmbushjen e Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen, që synon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

“Sot, Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një kredie të re prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit Foreign Military Fund (FMF), e cila do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Marrëveshja u miratua në Kuvend vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim dhe kundërshtoi mënyrën se si u ndoq procedura parlamentare.

Sipas opozitës, marrëveshja u kalua me procedurë të përshpejtuar, në kundërshtim me rregullat kushtetuese. Për këtë arsye, ajo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e saj me argumentin se procesi i miratimit ka qenë antikushtetues.

Advertisement