Connect with us

Politike

Protesta prej 66-të ditësh/ Hasimja: Mesazh për Ramën dhe opozitën

Eksperti i komunikimit dhe analisti Ermal Hasimja ka komentuar protestën 66-ditore kundër kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë në vend.

Në një intervistë për News 24, Hasimja u shpreh se protesta tashmë është marrë në dorë nga qytetarët dhe se mesazhi kryesor i saj është refuzimi i abuzimeve dhe kërkesa për llogaridhënie nga qeveria.

Sipas tij, interpretimi i qeverisë se protestuesit janë nxitur nga arsye të tjera është një përpjekje për të relativizuar pakënaqësinë e qytetarëve.

“Janë qytetarët që kanë marrë në dorë protestën. Mesazhi kryesor që ka përcjellë është që qytetarët nuk janë të gatshëm të durojnë çfarëdolloj abuzimi dhe ky është një mesazh për qeverinë aktuale”, tha Hasimja.

Ai deklaroi se protesta nuk lidhet me një ndryshim të papritur të mentalitetit të shoqërisë, por me një grumbullim pakënaqësish ndaj mënyrës së qeverisjes.

Duke folur për qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj protestës, Hasimja tha se deklaratat e tij synojnë të krijojnë një narrativë që minimizon rëndësinë e saj.

Sipas analistit, protesta ka nxjerrë në pah edhe probleme brenda Partisë Socialiste, duke përmendur shenja pakënaqësie dhe debate të brendshme në radhët e mazhorancës.

“Protesta ka shërbyer si katalizator. Ramës kanë filluar t’i rrjedhin deputetë, ka pasur pakënaqësi dhe diskutime edhe brenda PS-së”, u shpreh ai.

Hasimja theksoi gjithashtu se kërkesa për largimin e Ramës dhe përballjen e tij me drejtësinë është një nga elementët kryesorë të protestës, ndërsa shtoi se lëvizja ka krijuar një ndjenjë të re mobilizimi te qytetarët.

“Protesta ka rol të jashtëzakonshëm sepse i dha guxim njerëzve dhe tregoi se mbështetja elektorale nuk është një mburojë e përhershme për asnjë qeveri”, tha ai.

Në analizën e tij, Hasimja u ndal edhe te opozita, duke thënë se protesta ka qenë një mesazh edhe për Partinë Demokratike. Sipas tij, qytetarët kanë shprehur pakënaqësi jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj mënyrës se si opozita ka vepruar deri tani.

Ai u shpreh se PD duhet të reflektojë për rolin e saj si alternativë politike dhe të vendosë nëse do të vijojë me të njëjtin kurs apo do të ndërmarrë një transformim më të thellë.

“PD e ka marrë mesazhin e protestës. Ose do të vazhdojë në këtë mënyrë, ose do të bëjë një transformim rrënjësor për t’u bërë një forcë e besueshme opozitare”, përfundoi Hasimja.

Advertisement